Apeli i Durrësit ka ndryshuar masën e sigurisë për dy kryetarët e degëve të Partisë Demokratike në Librazhd dhe Prrenjas. Ndërkohë ka ndryshuar edhe masa për dy nga militantët e përfshirë në incidentin me eskortën e Ramës në Librazhd.
4 protestuesit u arrestuan në 13 qershor, pasi goditën eskortën e kryeministrit Rama në tentativë për t’i bllokuar rrugën për në mitingun elektoral që kishte programuar në Librazhd.
Gjykata e Apelit në Durrës ditën e sotme ndryshoi masën duke nxjerrë nga qelia kryetarin e degës së PD Librazhd Bujar Vreto, kryetarin e degës së PD Prrenjas, Arjan Karriqi si dhe dy të arrestuarit e tjerë Bujar Kojku e Dash Boja, të cilët do të hetohen në gjendje të lirë.
Pas këtij vendimi ka reaguar edhe PD, e cila thotë se këto arrestime janë politike.
“Ata u arrestuan më 13 qershor pse u ngritën në protestë kundër vizitës së Ramës në Librazhd. Me urdhër politik, ndaj tyre u montuan akuza të paqena dhe u mbajtën të ndaluar në kundërshtim flagrant me ligjin. Gjatë gjithë muajit qershor, Policia e Shtetit u shndërrua në një polici të mirëfilltë politike dhe kreu qindra arrestime në kundërshtim me ligjin në radhët e protestuesve të opozitës së bashkuar dhe të Aleancës Qytetare kundër farsës së 30 qershorit.
Të gjitha arrestimet e policisë në disa vendime të njëpasnjëshme janë cilësuar nga vendimet e gjykatave si të paligjshme. Lirimi i sotëm i drejtuesve politikë të PD në Librazhd e Prrenjas konfirmon sjelljen antiligjore të policisë së Sandër Lleshajt dhe është një tregues i nevojës urgjente për depolitizimin e institucionit të policisë nga një strukturë drejtuese e mbushur me vegla të verbra të Edi Ramës dhe me ish-eksponentë të Sigurimit të Shtetit” shkruan Partia Demokratike.
No comments:
Post a Comment