DUAJE
MIRË FËMIJËN TËND,
TREGOJI
RRUGËN E DREJTË,
MËSOJE
SE HUMBJA ËSHTË PJESË E JETËS,
SE
DURIMI TË RRIT DHE FORCON
DHE SE NESËR DO
FITOSH NJË BETEJË MË TË MADHE.
Sot
mësova një të re tjetër në profesionin tim. Pothuaj 20 vite në arsim dhe disa
vite në drejtimin e senateve të shkollave ku kam punuar, të japin mundësinë të
njohësh shumë modele dhe potenciale. Modeli që trazoi punën time korrekte, është
një rast specifik, por që gjykoj se duhet njohur me kujdes, pasi gabimisht mund
të shihet në prizme të ndryshme. Konkretisht zonja Manjola Arizaj është nëna e
nxënëses Edma Arizaj, e cila kandidoi për pozicionin e kryetares së Senatit të
shkollës.
Pasi vajza nuk votohet nga komisioni i zgjedhjeve, prindi reagon më shumë
se negativisht. Artikulli i saj në të cilin citohet emri im, dhe i shkollës në
fakt nuk më godet mua, godet vetë autoren. Ambicia pozitive nuk është sjellje
arrogante, as keqpërdorje e informacioneve, as mburrje me punën e prindërve
para atyre senatorëve të tjerë që nuk e kanë këtë privilegj, as kërcënim, as përplasje
publike, as njoftim i miqve të bëjnë skena në oborrin e shkollës, as presione në
artikuj publicistikë ndaj mësueses, fyerje ndaj stafit dhe institucionit ku ti
studion.
Modeli i nxënësve qytetarë që duam të edukojmë nuk është ky. Këto, me
keqardhje ua drejtoj të dyjave, por më shumë nënës intelektuale, që kultivon këtë
helm në shpirtin e vajzës së vet. Unë kam bërë detyrën time me korrektësi. Edhe
pse e prisja reagimin agresiv të zonjës nënë, vazhdova qetësisht punën time. Për
sa të jem në këtë detyrë, të jeni e bindur zonjë se do jem e paanshme. Petro
Nini është i të gjithëve, prandaj është i madh, ka vend për të gjithë. Turp të
hedhësh baltë mbi shkollën që mësoi fëmijën tuaj dhe vijon ta bëjë.
Turp të
shkelësh mbi pragun e derës që të priti dhe përcolli për vite të tëra. Mësojeni
fëmijën tuaj se modestia, mirësjellja, respekti nuk të bëjnë të jesh frikacak,
por të nderojnë. Fshijini ato fraza kërcënuese dhune, mllefi, inati, shantazhi,
talljeje, urrejtjeje ndaj kujtdo, por mbi të gjitha ndaj mësuesve të fëmijës
suaj. Është e lehtë zonjë të sulmosh, kur je në pozita të mira sociale, kur përdor
njohjet e tua dhe hakërrehesh ndaj një mësueseje. Por është e shëmtuar. E mbi të
gjitha është e dëmshme për vetë fëmijën tuaj.
Tek e fundit, mbi të
gjitha: mbi dijet, testet, koncertet, fjalimet është tejet i rëndësishëm
edukimi dhe fryma që i përcillni fëmijës tuaj. Ju nuk bëheni dot modeli i asgjëje
në këtë mënyrë. Nuk i është bërë asnjë padrejtësi fëmijës suaj, është thjesht
një proces në të cilin nuk u votua. Mësojeni të dijë të reagojë në humbje, pasi
aty tregon vlerat e vërteta qytetare. Duaje mirë dhe fali qetësinë. Jam e
bindur se nëse e mëson këtë, ajo nesër do fitojë në beteja më të mëdha. Studion
jashtë apo këtu, personalietin e merr me vete, kudo të jetë.
No comments:
Post a Comment