Çdo qytet ka historinë
e tij. Disa qytete janë të vjetër, mijëravjeçarë, aq sa nuk u dihet as data e
themelimit të tyre, kurse disa qytete janë shumë të rinj. Qytetet e rinj,
ndryshe nga ata të vjetrit, e kanë privilegjin e të pasurit të datës së
lindjes, apo të themelimit të tyre. Një nga qytetet më të rinj të Shqipërisë, i
cili është themeluar 50 vjet më parë, është qyteti i Librazhdit.
Ai u shpall
qytet më 18 shkurt të vitit 1960, me Dekretin Nr. 3060, të Presidiumit të
Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë, i cili e deklaroi atë:
"Qyteti i Librazhdit" (Gazeta zyrtare, Tiranë, shkurt 1960). Sipas
tij, Librazhd do të thotë “Porta e Hapur” emër i përdorur që në antikitet. Pra
përdorej para se të ndërtohej “Via Egnatia” Shek-II-të Para Krishtit. Një
qendër e vogël që shërbente si lidhje midis lindjes dhe perëndimit. Në vitin
1476 në regjistrat kadastrale turke përdoret si toponim Librazhd, “Alnanak 1”
Librazhdit.
Pra meqenëse Librazhdi ndodhej në krahun e djathtë të luginës së
Shkumbinit dhe ka qenë si pikë kontakti në rrugën Egnatia, kjo qendër antike
për 2000 vjet ka marrë tiparet e një qendre qytetare. Ndërkohë, për tempullin e
Djanës - vazhdon më tej Gjura- se sipas albanologut Karl Porsh, në një punim
shkencor Ilirët i vitit 2004 i ka kushtuar shumë vëmendje rrugës Egnatia,
brenda hapësirës gjeografike 26-30 km përmend fshatin Babi si qendër
antike, ku sot është Babja. Sipas tij, gjen vendndodhjen e tempullit të Djanës,
perandorisë së pyllit.
Historia e qytetit të
Librazhdit
Historia e themelimit
të Librazhdit (si qendër banimi) zë fill qysh në vitin 1929, atë vit kur u bë
zhvendosja e trasesë së rrugës automobilistike Tiranë-Elbasan-Korçë buzë
luginës së lumit të Shkumbinit. Traseja e vjetër pati kaluar nëpër shpatet e
Malit të Polisit, në gjurmë të rrugës së hershme “Egnatia”. Pranë rrugës së re
dhe buzë lumit të Shkumbinit u ngrit qendra e re administrative e
nënprefekturës së Librazhdit.
Veç zyrave të nënprefekturës dhe të postë-telegrafës,
në Librazhd u ndërtuan dyqanet e shitblerjes, kafene dhe hane. Më e njohur ka
qenë “Kafja e Llaz Popës”, që konsiderohet si themelues i Librazhdit. Gjatë
ndërtimit të qytetit të Librazhdit janë shkatërruar ose mbuluar disa ura të
vjetra antike, Ndërtimi i qytetit bëri që ato të mbuloheshin një nga urat ka
qenë tek selia e PD-së, një tjetër tek ish-degës Ushtarake, si dhe një urë
tjetër në dalje të Librazhdit rrugës për në Përrenjas.
Pas Luftës së Dytë
Botërore Librazhdi u bë qendër rrethi. Aty u vendosën zyrat e administratës
partiake e shtetërore dhe institucionet social-kulturore, si spitali, shtëpia e
lindjes, shtëpia e kulturës, biblioteka, kinemaja, shërbimet sociale, punishte
ushqimore etj.. Për banorët e rinj të Librazhdit u ndërtuan pallate banimi dhe
e gjithë infrastruktura e nevojshme. Gjatë viteve '60 qyteti i Librazhdit mori
një zhvillim urbanistik të veçantë, duke bërë që të spikatet nga qytetet e
tjerë të Shqipërisë. U ndërtuan pallate të reja shumëkatëshe, u krijua qendra e
re e qytetit, u ndërtuan shëtitorja (bulevardi), trotuaret ndanë tij, u mbollën
pemë dekorative, u krijuan lulishte, parqe etj., duke i dhënë qytetit një pamje
të hijshme e të veçantë.
Deri në vitet '80, të shekullit të kaluar në qytetin e
Librazhdit, krahas institucioneve të ndryshme administrative, industriale,
arsimore etj., numëroheshin edhe disa institucione kulturore si Dega e Lidhjes
së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Biblioteka e qytetit, Shtëpia e kulturës, Muzeu
Historik dhe Etnografik, Galeria e arteve figurative, kinemaja etj. Në vitin
1986 Librazhdi kishte 3379 banorë, por pas viteve '90, për shkak të lëvizjes të
lirë të popullsisë, qyteti i Librazhdit u popullua me banorë të ardhur nga
fshatrat e rrethit. Sot qyteti numëron mbi 15 mijë banorë. Ndonëse historia e
qytetit të Librazhdit është e re, trevat e tij kanë një histori të lashtë.
Ato,
duke u ndodhur midis dy trevave të mëdha të Shqipërisë, Gegërisë dhe Toskërisë,
krahas tipareve të përbashkëta me treva të tjera të vendit, ato kanë ruajtur
edhe dallime në aspektin gjuhësor, folklorik dhe etnografik. Sipas arkeologut
Avni Alcani në shkrimet e tij thekson se: Gjurmët më të hershme të banimit në
rrethin e Librazhdit janë ato të periudhës së Gurit të Vjetër (Paleoliti).
Materialet arkeologjike të periudhave të Gurit të Mesëm (Mexoliti), Gurit të Ri
(Neoliti), bronzit, hekurit etj., japin të dhëna të rëndësishme të jetës
ekonomike dhe shoqërore, si për gjuetinë, bujqësinë, blegtorinë, punimin e
enëve prej balte, besimet etj. Sipas autorëve antikë, viset që shtriheshin në
rrjedhës e sipërme të lumit Shkumbin, aty ku ndodhen trevat e Librazhdit të
sotëm, quhej Kandavia, kurse banorët quheshin kandavë.
Perëndia që kandavët
besonin më shumë dhe që i kishin kushtuar edhe një tempull ishte Diana,
perëndesha e pyjeve dhe e gjuetisë. Një fragment i këtij tempulli është zbuluar
në vitin 1916 nga arkeologu austriak Prashniker . Kandavët organizonin festa
kushtuar perëndeshës së tyre, Dianës (Zanës). Çdo pranverë ata festonin ditën e
ripërtëritjes së natyrës, duke krijuan kultin e festës së Ditës së Verës, festë
e cila është trashëgua deri në ditët e sotme. Gjatë sundimit romak, nga shek.
II para Kr. deri në shek. IV pas Kr., romakët treguan interes për Rrugën e
Kandavisë. Ata e zgjeruan dhe e zgjatuan atë më tej dhe rruga e re mori emrin:
“Via Egnatia”. Në mesjetë trevat e Librazhdit u quajtën Aranitia (Aranitid).
Ato ishin nën zotërimin e aranitëve, një nga familjet më të vjetra fisnike të
Shqipërisë Qendrore.
Aranitët kishin emblemën e familjes së tyre, e cila ishte
në formën e një shqyti dhe brenda saj ishte vizatuar shqiponja me dy krerë me
ngjyrë të artë në fushë blu. Gjatë shek XIX dhe fillimi i shek. XX lufta për
çlirim dhe zhvillim kombëtar në trevat e Librazhdit mori përmasa të mëdha.
Në vitet '60 dhe '70
kishte shpërthyer talenti i jashtëzakonshëm i dy poetëve martirë, Genc Leka dhe
Vilson Blloshmi, që diktatura i preu në mes, duke i vrarë barbarisht. Artistë
vendas, si Sadi Halili (koreograf), Muhamet Muça (aktor-regjisor), Sabri Cani
(regjisor), Çlirim Çollaku (piktor), Sami Roçi (piktor), Arif Lushi (piktor),
Rajmonda Mato (piktore), Rakipe Karai (këngëtare lirike-soprano), Hatixhe Lushi
(këngëtare lirike-mexosoprano), Julian Muçollari (skulptor), Besnik Haxhillari
(piktor), Gëzim Hidri (skluptor i shqiponjës së pavarësisë), Bujar Alliu
(muzikant-dirigjent) dhe një numër i madh gazetarësh që punojnë në mediat
shqiptare etj..
No comments:
Post a Comment